Secondary Adv

Nis projekti Rruga e Maleve, hapet gara për projektimin e aksit 65 km Koplik-Theth

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur tenderin për projektimin e aksit Koplik-Razëm-Bogë-Theth, i njohur si “Rruga e Maleve”.

Projekti përfshin një gjatësi prej rreth 65 kilometrash dhe synon përmirësimin e infrastrukturës rrugore, rritjen e sigurisë dhe lehtësimin e aksesit drejt disa prej destinacioneve turistike më të rëndësishme të veriut të Shqipërisë.


Sipas dokumentacionit të tenderit, rruga nis në Koplik dhe përfundon në qendër të Thethit, duke kaluar nëpër zonat turistike të Razmës dhe Bogës. Aktualisht, pjesë të konsiderueshme të këtij aksi kanë një gjerësi të kufizuar, duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve, veçanërisht në segmentet malore.


Situata paraqitet më problematike në segmentin Razëm-Bogë-Theth, me gjatësi rreth 42.6 kilometra, ku në shumë pjesë gjerësia e asfaltit është vetëm 3.7 metra. Rruga përshkon një terren të thyer malor, me kthesa të forta, pjerrësi të mëdha, skarpate dhe zona të ekspozuara ndaj rrëshqitjeve të dheut apo rënies së materialeve shkëmbore.


Projekti parashikon zgjerim të rrugës dhe ndërhyrje për sigurinë

Ndërhyrja e planifikuar nuk kufizohet vetëm në asfaltimin e rrugës. Konsulenti që do të përzgjidhet përmes tenderit duhet të hartojë zgjidhje teknike për zgjerimin dhe përmirësimin e seksionit rrugor, sistemin e drenazhimit, urat, tombinot, muret mbajtëse dhe stabilizimin e skarpateve.


Vëmendje e veçantë do t'u kushtohet zonave me rrezik rrëshqitjeje, përmirësimit të sinjalistikës rrugore dhe vendosjes së barrierave mbrojtëse. Sipas dokumentacionit, objektivi është që aksi të projektohet në përputhje me standardin F2 të rregullave teknike të rrugëve.


Rruga është ndarë në tre pjesë kryesore. Segmenti Koplik-Dedaj-degëzimi i Razmës ka një gjatësi prej rreth 11.4 kilometrash, segmenti Dedaj-Razëm është rreth 11 kilometra, ndërsa pjesa Razëm-Bogë-Theth shtrihet në rreth 42.6 kilometra.


Tetë muaj afat për projektimin e aksit

Sipas kushteve të tenderit, hartimi i projektit duhet të përfundojë brenda tetë muajve. Dokumentacioni teknik do të përcaktojë ndërhyrjet e nevojshme për përmirësimin e rrugës dhe përshtatjen e saj me kushtet e terrenit malor.


Referuar relacionit të projektit, investimi synon të shkurtojë kohën e udhëtimit, të rrisë sigurinë e qarkullimit dhe ta bëjë aksin më funksional gjatë gjithë vitit.


Përmirësimi i lidhjes rrugore Koplik-Razëm-Bogë-Theth pritet të lehtësojë lëvizjen e banorëve dhe vizitorëve, duke krijuar kushte më të mira për aksesin në zonat turistike të veriut dhe për zhvillimin e aktiviteteve ekonomike të lidhura me turizmin malor.


Burimi: Scan


Më të lexuarat